Në Komunën e Gjakovës sot u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hoti, me Kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit dhe studentët e kësaj komune.
“E konsideroj të veçantë bashkëpunimin me Komunën e Gjakovës sidomos për një program ekskluzivisht për të gjithë nxënësit dhe studentët. Programi Nacional për Rininë shtrihet në nivel shkolle, komune si dhe republike dhe për të gjithë fituesit do të ketë shpërblime”.
“Me këtë program do të institucionalizohet sporti, dhe unë pres nga ju kryetar që ta mbështesni sportin dhe sidomos të fuqizoni pjesëmarrjen e femrave”, u shpreh Koordinatori Hoti.
Kryetari Gjini tha se është i lumtur që Programi Nacional për Rininë po jetësohet.
“Është një ide shumë e mirë. Nuk do të jetë projekt i lehtë, por duhet gjithsesi të fillojë sepse do t’i përfshijë të gjithë nxënësit. Ne do t’ju përkrahim me mundësitë tona që ka komuna. Uroj të zbatohet për të mirën e nxënësve”, tha Kryetari Gjini.
Koordinatori Hoti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri të cilët theksuan se ministritë që përfaqësojnë e mbështesin Hotin.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programit Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.