Komuna e Prishtinës e ka formuar një komision i cili do të vlerësojë gjendjen në platenë e “Kurrizit” në Lagjen Dardania të Prishtinës, punë kjo e cila ka mbetur e papërfunduar për më shumë se tri vjet. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Radio Kosovën drejtori për Investime kapitale dhe menaxhim të kontratave në këtë komunë, Gëzim Mehmeti. Mirëpo ai nuk ka dhënë arsye të zvarritjes së këtij projekti me arsyetimin se nuk ka qenë drejtor në kohën e ngecjes së punimeve.
Në Komunën e Prishtinës është formuar një komision i cili do të inspektoj punimet e platesë së “Kurrizit” në kryeqytet, me qëllim të evidentimit të ngecjes së punës në këtë projekt për më shumë se tri vite.
Lajmin e ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtori për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave në Prishtinë, Gëzim Mehmeti, por nuk ka dhënë detaje për arsyet e vonesës së projektit.
“Prej se kam marrë detyrën kam kërkuar të dihen arsyet pse nuk kanë përfunduar këto punime, por tani do të shikojmë gjendjen dhe të dalim me një raport” ka thënë Mehmeti.
Ai nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të përfundojë ky inspektim duke thënë se një gjë e tillë merr kohë, por ka deklaruar se pas përfundimit të raportit nga komisioni profesional, i njëjti do të bëhet publik edhe për medie.
“Nuk është një punë e cila mund të bëhet për një ditë apo disa orë, duhet një inspektim i detajuar dhe na merr kohë për të dalë me një qëndrim zyrtar” tha Mehmeti.
Mehmeti tha se për këtë projekt nuk është bërë as pranimi teknik, mirëpo shtoi se varësisht nga raporti inspektues i punës, për të gjithë shkelësit e kontratave do të ndërmerren masa ligjore.
Renovimi i platesë së “Kurrizit” në Prishtinë kishte filluar në vitin 2015, mirëpo puna ishte ndërprerë pak kohë më pas, duke bërë që të ketë edhe reagime të shpeshta të banorëve të kësaj lagjeje.