Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur dëgjim publik me institucione dhe organizata joqeveritare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, tregoi fazat e punës në këtë projektligj, duke specifikuar rëndësinë e kontributit të akterëve të tjerë në hartimin e tij.
Si rezultat, në këtë dëgjim publik, ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve vendore, si Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësues nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organizata jo-qeveritare të fushës së mbrojtjes së konsumatorit, të cilët adresuan komentet e tyre lidhur me projektligjin e propozuar.
Duke filluar nga rekomandimet për ndërhyrje teknike të propozuara, në projektligj u propozuan edhe rekomandimet përmbajtësore të cilat i shërbejnë direkt mbrojtjes së konsumatorëve.
Tregtimi online, direktiva e ndryshme që duhet të përfshihen në projektligj, rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale, domeni i konkurrencës, ishin disa nga aspektet e trajtuara në këtë dëgjim publik, duke synuar mbrojtjen sa më të mirë të konsumatorit.
Njazi Shala nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) tha se ligji përmban 4 qëllimet kryesore dhe se është në harmoni me ligjet e BE-së.
“Ligji është në harmoni me ligjet e Bashkimit Evropian, ka transpozimin e direktivës 2019/21, rekomandimet e ekspertëve të BE-së në relacion me ligjin bazë për mbrojtjen e konsumatorit 2018, rekomandimet që vijnë brenda nga politikat qeveritare, eksperienca e punës së Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, grupit punues dhe akterëve të tjerë që ndërlidhen me mbrojtjen e konsumatorit”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Menaxhimit të Tregut në Autoritetin e Konkurrencës, tha se institucioni i tij ka për qëllim parandalimin e abuzimit dhe shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet që janë në treg.