Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat është shprehur e zhgënjyer me institucionet e vendit të cilat nuk po e diskutojnë më projektligjin për pagën minimale, ndonëse i njëjti ka kaluar vetëm në lexim të parë, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse me pagë minimale mbahen mijëra familje në vend, i njëjti vetëm zhagitet e nuk kalon në Kuvend prej shumë kohësh.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi thotë se projektligji për pagën minimale nuk ka lëvizë fare, përçka fajtor e bën ekzekutivin.
E sa i përket arsyetimit se veteranët e luftës së UÇK-së janë pengesë për mosshtyrje përpara të këtij Projektligji, Azemi ka ofruar një zgjidhje.
“Projektligji për pagën minimale ka mbetur aty ku e kanë lënë edhe para 12 vjetësh, ku e kanë lënë në vitin 2011, pasi që Qeveria e Kosovës tentoi që në Parlament në fakt u bë leximi i parë, është pritë që të bëhet edhe leximi i dytë, por nga paaftësia e Qeverisë nuk mund të kalojë”, thotë Azemi.
“Nëse kanë telashe sepse paga minimale është e lidhur me pagën e veteranëve të luftës, kemi ofruar një zgjidhje për të cilën kemi thënë që punëtorët e sektorit privat të Kosovës të paguhen në bazë të orëve që punojnë dhe jo në bazë të ligjit”, thotë tutje Azemi për EO.
Këto vonesa për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, po duken të paarsyeshme.
Ai thotë se fati i pagës minimale nuk duhet të mbetet tek veteranët.
“Nuk duhet fati i pagës minimale gjithmonë të jetë arsyetim që kinse ka veteranë të shumtë dhe ata do të jenë të paguar apo ata do të jenë një ngarkesë”, tha Gërxhaliu.
Ai thotë se Kosova do të përballet me një “pandemi demografike”, duke thënë se shkaku i pagës së ultë, të rinjtë po ikin jashtë shtetit.
“Por e kam frikën më të madhe për pandeminë demografike e cila e ka kapluar Kosovën dhe për fat të keq politikbërësit në Kosovë nuk janë duke pa. Rinia po ikë, Kosova po zbrazet dhe kjo është fitorja më e madhe e dashakeqëve të Kosovës dhe armiqve të saj historikë që vërtetë kanë bërë çmos që Kosova të zbrazet”, thotë Gërxhaliu për EO.
Ish-kreu i OEK-ut tregon edhe qëllimin e të rinjve që po emigrojnë jashtë shtetit.
“Sot të rinjtë e kanë vetëm qëllim ose të dalin jashtë Kosovës, ose të punësohen diku në institucione sepse vetëm në administratë publike e kanë të garantuar edhe punën edhe pensionin. Nuk krijohet vende të reja të punës nga sektori privat dhe gjithmonë administrata duhet të jetë ajo që do të krijojë vende të reja të punës atëherë forcohet varfëria, korrupsion, padijenia, nepotizmi dhe politizimi i skajshëm, Kosova po e dëshmon këtë çdo ditë e më shumë”, u shpreh Gërxhaliu për Ekonomia Online.