Instituti Riinvest dhe USAID kanë organizuar tryezën e diskutimit me temën “Barometri i prokurimit publik x-Indeks 2020”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë tryezë u theksua se përdorimi i platformave elektronike në prokurim ka nxitur transparencën e komunave dhe të institucioneve të tjera.
Afërdita Mekuli nga USAID-i tha se të dhënat e fundit tregojnë një përmirësim të transparencës, krahasuar me vitin 2020, që ka pasur një rënie.
“Ky barometër është një mjet i cili synon transparencën dhe sistemin e prokurimit publik. Ky është viti i tretë që kemi mbështetur Riinvestin, dhe të dhënat na japin përmirësim të mirë krahasuar me vitin e kaluar pra vitin 2020, me një dallim nga 0.70 në 0.67”.
“Komunat tani janë më efektive në procesin e prokurimit e transparencës. I gjithë ky proces bëhet përmes platformës online duke ndihmuar kështu bizneset dhe të operojnë nga distanca”.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në Instituti Riinvest, tha se transparenca ka një rëndësi të veçantë, andaj edhe synimi i këtij projekti është bazuar në disa indikatorë të rëndësishëm.
“Fjala transparencë është e para dhe ka shumë rëndësi, sepse është e pamundur të kemi llogaridhënie pa transparencë. Ky projekt ka synim mbi transparencën në shpenzimin e parasë publike dhe që të sigurohemi që nuk ka dëmtim të tregut. Ky projekt do jetë një vegël transparence që do t’i ndihmojë shumë akterëve”.
Sami Uka, anëtar bordit në KRPP, theksoi se platforma elektronike i ka dhënë një frymë ndryshe transparencës dhe që ka mundësuar një rritje të transparencës.
“Ne jemi këtu për të punuar bashkërisht, sidomos në çështjen e transparencës, ku kjo është bërë e mundur sidomos me platformën elektronike, kemi arritur që brenda pesë viteve kemi arritur nga prokurimi letër në prokurimin elektronik”.
Tringa Shkodra nga Instituti Riinvest, bëri prezantimin e raportit duke vën në pah rezultatet kryesore.
“Mesatarja është 0.67 pra një rënie për vitin 2020 si pasojë e pandemisë, nëse flasim për komunat dhe ku qëndrojnë ato, Komuna e Hanit Elezit, Pejës e Klinës prijnë mbi bazën e transparencës”.
Përderisa përfaqësues të komunave dhe pjesëmarrës të tjerë diskutuan mbi problematikat dhe sfidat duke adresuar edhe pyetje dhe komente mbi raportin.