Paneli i parë i Konferencës së tretë vjetore të CorrWatch, me temën “Efikasiteti i shpenzimit të parasë publike përmes prokurimit dhe dhënies së granteve” solli diskutime mbi transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Fidane Spahija – Gjikolli, anëtare e Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), bëri të ditur se numri i kontratave të nënshkruara gjatë vitit të kaluar ka arritur në 10,012, në vlerë të përgjithshme 941.7 milionë euro.
“Vetëm gjatë vitit 2024 afro 9.31 për qind e bruto pruduktit vendor është realizuar përmes prokurimit publik. Numri i kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2024 është përafërsisht 10,012, ku vlera e tyre kap 941.7 milionë euro. Për herë të parë po e bëj publike këtu. Duke u bazuar në këtë draft – raport dhe përgjegjësitë tona ligjore, do ta bëjë një përmbledhje të performancës së KRPP-së në vitin 2024. Gjatë viti 2024 departamenti i rregullave ka përditësuar aktet dytësore, të cilat i ka publikuar në të tri gjuhët zyrtare. Aktet zyrtare kryesisht janë plotësim- ndryshimi i rregullores, plotësim- ndryshimi i udhëzuesit, janë katër formulat standarde të përditësuara, janë deklarata dhe marrëveshje të hartuara në mënyrë që të adresohen sfidat dhe problemet që janë evidentuar. Është vërejtur një zbatim i mirë dhe bashkëpunim me organin shqyrtues të prokurimit, në zbatimin sa më të drejtë me legjislacionin sekondar, me njësinë e hetimeve ekonomike dhe korrupsion, me prokurorin, gjykata dhe organizata e shoqërisë civile”.
Shqipe Dema, drejtoreshë e Departamentit për Politika të Zhvillimit Rural në MBPZHR, theksoi se mbi 80% e buxhetit të ministrisë shpenzohet për grante dhe subvencione.
“MBPZHR në sektorin e bujqësisë më shumë se 80 për qind të buxhetit e shpenzon për grante dhe subvencione. Subvencionet janë përfitime të secilit fermer, për përfitim që ai e bën. Për grante të zhvillimit rural është investim dhe i ngjan prokurimit. Te subvencionet secili që merret me veprimtari, është kontributi që shteti i jep, për shkak se sektori i bujqësisë atakohet prej ndryshimeve klimatike dhe shumë shpesh fermerët nuk mund t’i gjenerojnë të hyrat e veta. Si sektor 80 për qind e buxhetit është i ndarë për këto dy kategori. Këto politika të granteve dhe subvencioneve i kemi adaptuar nga politikat e përbashkëta bujqësore nga BE-ja. Kemi filluar që nga viti 2007 t’ i përafrohemi dhe t’i zbatojmë procedurat që i aplikojnë në BE. Shumë më shumë në programin e zhvillimit rural për arsye se fondet e IPA-s kontribuojnë në një shumë të madhe të granteve në programe të zhvillimit rural”, ka thënë Dema.
Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, ka thënë se në dy- tre vitet e fundit buxheti për sektorin e bujqësisë është rritur ndjeshëm.
“Nga diku 47 milionë euro për subvencione dhe grante që kanë qenë në vitin 2019, kjo shifër ka arritur në 74 milionë euro në vitin 2025, që është një rritje prej 57 për qind e buxhetit. Rritja e buxhetit në mënyrë kaq të hovshme do ta rrit edhe interesimin e njerëzve për këtë sektor. Një pyetje është se a do ta rris edhe angazhimin që i bie pastaj prodhimin, rendimentin, rritjen e sipërfaqeve të mbjella. Një pyetje që tani nxitet është se kur rritet kaq shumë financimi, bëhet pyetja se a po rritet afër aty diku edhe kthimi në investim nga këto mjete. Këtu besoj që përgjigjja nuk është aq pozitive sa që do të kishim dashur që të jetë”, tha Hasaj.