Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në një bashkëbisedim me studentë të organizuar nga Lëvizja FOL ka thënë se auditimi duhet të jetë në pajtim të plotë më standardet, me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.
Ai ka shtuar se raportet e Auditorit duhet të jenë të bazuara në praktikat e mira evropiane, raporton Ekonomia Online.
“Meqenëse shteti jonë synim e ka Bashkimin Evropian dhe aspiratat tona që t’i plotësojmë këto standarde janë thjeshtë këto tri postulate me të cilat mbështetet puna jonë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Auditori i Përgjithshëm ka dy qëllime strategjike: e para ka të bëjë me mbulueshmërinë në auditim; dhe e dyta ka të bëjë me cilësinë në auditim.
“Mbulueshmëria në auditim do të thotë që ne të marrim në vrojtim sa më shumë organizata të cilat financohen nga para publike dhe e dyta ka të bëjë me cilësinë në Auditim, sepse nuk mjafton vetëm t’i marrësh dhe t’i audiosh, por varet shumë nga cilësia me të cilën ato auditohen”, ka thënë ai.
Ndërsa, duke folur për prokurimin publik ai ka thënë se paraja publike shfrytëzohet përmes procedurave të prokurimit publik.
“Paraja publike kryesisht shfrytëzohet përmes procedurave të prokurimit publik. Diku më shumë se 600 milionë euro në vit shfrytëzohen përmes këtyre procedurave një buxhet rreth 1.7 miliardë sa e kemi, një pjesë shkon për rroga dhe kompensime të tjera, por pjesa më e madhe përmes procedurave të prokurimit dhe defektet më të mëdha i kemi këtu”, ka thënë ai.
Sa i përket pasurive financiare ka thënë se nuk kanë ndonjë evidencë të plotë dhe të qartë të pasurisë publike jofinanciare.