Në kuadër të Javës së Integritetit, është mbajtur diskutimi për parandalimin e korrupsionit në prokurimin publik. Në këtë diskutim u theksua se kjo fushë vazhdon të mbetet me potencial të lartë për korrupsion, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera, raporton Ekonomia Online.
Kështu deklaroi drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, i cili tha se prokurimi publik kërkon qasje profesionale dhe serioze.
Ai theksoi se integriteti në prokurimin publik është “themeli i besueshmërisë së qytetarëve të Kosovës“.
“Për këtë ditë ne kemi zgjedhur një temë të rëndësishme e cila është bazë e rëndësishme e parandalimit të korrupsionit, sepse të dhënat tregojnë që potenciali në këtë fushë është më i madh. Ky sektor i prokurimit publik mbetet ku rreziku mbetet ndër më të lartët, nuk mbetet vetëm në Kosovë por edhe jashtë. Për këtë arsye kërkohet qasje e koordinuar, profesionale dhe e vazhdueshme në parandalimin e korrupsionit. Përveç panelit, i falënderoj të gjitha institucionet dhe agjencitë dhe mediat për të bartur mesazhin te audienca.
Nga puna e Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit, kemi vërejtur përmes punës analitike dhe sinjalizimeve se prokurimi publik mbetet rrezik i lartë dhe fushë e keqpërdorimeve. Kjo fushë kërkon qasje më serioze në ngritje të transparencës dhe forcimin e integritetit. Koleget e panelit do të adresojnë sfidat konkrete, po ashtu edhe boshllëqet normative dhe mënyrat e përmirësimit. Ky institucion përfaqëson një hallkë kyçe në këtë zinxhir duke filluar nga auditimi, rregullimi dhe mbikëqyrja. Qëllimi i këtij paneli sot është të dalim me rekomandime të zbatueshme për të forcuar integritetin në prokurimin publik dhe për parandalimin e korrupsionit. Integriteti në prokurimin publik është themeli i besueshmërisë së qytetarëve të Kosovës“, tha ai.

Auditorja e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, tha se fusha e prokurimit publik vazhdon të mbetet një nga sektorët që i ekspozohet abuzimeve me paratë publike dhe konfliktit të interesit.
“Fusha e prokurimit publik vazhdon të mbetet një nga sektorët që i ekspozohet abuzimeve me paratë publike dhe konfliktit të interesit dhe kjo ka të bëjë me kredibilitetin apo besueshmërinë e institucioneve publike. Integritetin nuk duhet ta shohim vetëm si një shkelje procedurale, duhet ta shohim se çdo mospërputhje me ligjet në fuqi, çdo mospërputhje me aktet nënligjore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me prokurimin publik, nënkupton humbjen e vlerës së parasë publike, nënkupton më pak shërbime për qytetarët, drejtëpërdrejt në konkurrencën e drejtë dhe besueshmërinë te institucionet e shtetit.
ZKA ka një mandat të gjerë në mbrojtjen dhe përdorimin e fondeve publike si nga niveli lokal e qendror e po ashtu edhe të ndërmarrjet. Pavarësisht përkushtimit dhe angazhimit, besoj se kjo është shpërblyer sepse është përkthyer në besueshmërinë e qytetarëve që kanë ndaj këtij institucioni“, tha Spanca, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj, tha se në çështjen e planifikimit të një kontrate ende ka shkelje.
“Planifikimi dhe realizimi i një kontrate, planifikimi, është thembra e Akilit. Te fokusi që e kemi ne, te vendosja e kritereve diskriminuese, por vlerësimi im është që ka procedura të hapura ku është vetëm një ofertues dhe në bazë të vlerësimeve që i kemi këto mund të jenë procedura edhe më të rrezikshme dhe dalin thonë që procesi ka qenë i drejtë dhe nuk është në detyrën tonë se kush aplikon. Vendosja e kritereve dhe planeve që nuk përkojnë me autoritetin dhe punën. Ka shumë vite që rruga Dollc–Gjakovë dhe projekti nuk ka asnjë llogaridhënie dhe rrezikohet çdo ditë jeta e njerëzve. Si fenomen kohëve të fundit që është shfaqur është anulimi i procesit të prokurimit“, tha Vishaj.
Java e Integritetit 2025 është e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në bashkëpunim me Forumin Konsultativ të APK-së me Shoqërinë Civile.
