Tri shqetësimet kryesore te cilat janë gjetur në raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave për vitin 2015 janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe subvencionet.
Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike ku edhe është shqyrtuar raporti i Auditimit për vitin 2015, raporton Ekonomia Online.
Të ftuar në këtë takim ishin kryetarët e tetë komunave të Kosovës, si ai i Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit, Mitrovicës dhe Graçanicës.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Faton Topalli ka thënë se komisioni së bashku me zyrën e Auditimit ka nxjerrë disa pika të dobëta për pasqyrat financiare.
“Ato pika janë prokurimi publik menaxhimi i pasurisë financiare dhe subvencionet. Shpenzimet për investime kapitale të realizuara përmes prokurimit për vitin 2015 në këto komuna ishin në vlerë prej 57.9 milionë euro dhe bazuar në raportet e auditimit del që ka pasur inicim të procedurave të prokurimit pa zotim të mjeteve, vonesa në projekte, vonesa në pagesa, pagesa përmes përmbaruesve privat, bashkëfinancimi i projekteve të financuara nga auditorët për mbikëqyrje nga stafi i komunave e të tjera”, ka thënë ai.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani.
“Nga java e ardhshme ne do të fillojmë me publikimin e raporteve të para të komunave dhe besoj se ka qenë një moment i rëndësishëm që pak para publikimit të këtyre raporteve të kemi mundësi me diskutu Janë tri shqetësime për ne prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe pagesat e palëve të treta”, ka thënë ai.
Ndërsa, Qerkin Morina, ndihmës i Auditorit të Përgjithshëm, tha se mangësitë më të mëdha në pasqyrat financiare të komunave janë në fushën e prokurimit.
“Mangësitë kryesore që janë vërejt në fushën e prokurimit disa çështje më thelbësore që kanë të bëjnë më fushën e prokurimit janë aspekti i mbikëqyrjes së kontratave, apo mbikëqyrja e punimeve nga ana e personave të autorizuar sepse organet mbikëqyrëse dokumentet të cilat i nënshkruajnë përmes së cilave ata konfirmojnë për sasinë dhe cilësinë e punimeve të kryera ato në fund zbatohen apo më mirë me thënë paguhen dhe ajo është baza prej të cilës krijohet pagesa”, ka thënë ai.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe tetë kryetarë të komunave të vendit të cilët sqaruan më në detaje se me cilat sfida dhe probleme përballen.