Prokurori i Serbisë fton Vuçiqin të tregojë të vërtetën për vrasjen e serbëve në Pejë

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Ish-prokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, ka ftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të tregojë se kush janë autorët e vrasjes së 6 të rinjve serbë më 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë.

Ai në një intervistë për mediat serbe, përcjell gazeta “Danas” të martën, tha se e di më mirë se Vuçiqi se kush i ka vrarë dhe kush qëndron prapa këtij akti, por shtoi se duhet Vuçiqi të tregojë.

“Presidenti ynë tha se nuk do të tregonte se kush ishin autorët, sepse pati një jehonë të tmerrshme dhe ai e di këtë”, tha Vukçeviq.

Në kafenenë “Panda”, dy sulmues të maskuar vranë Zoran Stanojeviqin (18 vjeç), Ivan Radeviqin (24), Ivan Obradoviqin (15), Vukota Gvozdenoviqin (16), Svetislav Ristiqin (18) dhe Dragan Trifunoviqin (18). U plagosën tre të tjerë.

Ky akt ishte trilluar nga serbët, me qëllim që të ngarkoheshin shqiptarët për veprën që s’e kishin kryer.

“Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e djemve të vrarë ishin të bindur se krimi ishte kryer nga anëtarë të të UÇK-së”, shkruan gazeta “Danas”.

Me këtë datë, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë në atë kohë, tash president, Vuçiq, në një emision në TV Pink tha: “Krimin në Panda nuk e kanë bërë shqiptarët siç kemi besuar ne deri më tash. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”, kishte thënë ai, duke iu referuar vetë serbëve si autorë të krimit.

Pas kësaj nisi një “furtunë” në Serbi dhe Vuçiqi duke e parë situatën, nuk e zbuloi të vërtetën.

Disa ditë pas vrasjes së gjashtë të rinjve, shumë shqiptarë ishin arrestuar pa faj, ishin rrahur, keqtrajtuar e burgosur.

Disa prej tyre më vonë kanë rrëfyer se ende i vuajnë pasojat.

Të ngjashme