Prokurori i Shtetit ende po e heton Martin Berishajn për “mos-raportim apo raportim të rremë të pasurisë”

Prishtinë | 10 Jan 2023 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se veprimet hetimore në çështjen hetimore ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për dyshimin në veprën penale “mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë”, janë duke vazhduar.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.

“Mund t’iu njoftojmë lidhur me kallëzimin penal kundër M.B., në drejtim të veprës penale ‘Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, nga neni 430 të KPRK-së, se në këtë çështje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit”, është shprehur Ulaj.

Kujtojmë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk e kishte raportuar kompaninë e tij “MB Consulting” në Agjencinë Kundër Korrupsion gjatë deklarimit të pasurisë.

Për këtë rast, një medium në Slloveni, “Prava“, ka raportuar ditëve të fundit.

Të ngjashme