Prokurori kërkon dënimin e ish-drejtuesve të Telekomit, thotë se nga kontrata me Z-Mobile u dëmtuan xhepat e qytetarëve

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 17:44 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale ka kërkuar që ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Një kërkesë të tillë, e ka bërë prokurori Naim Abazi, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka përfunduar gjykimi në rastin “Posta”, ku tre të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kemi të bëjmë më një rast sistematik të keqpërdorimit të të mirave materiale duke dëmtuar shtetin tonë. Kemi të bëjmë me persona që janë përgjegjës për atë çka ka ndodhur deri më tani. U vërtetua në bazë të provave dhe është vërtetuar gjendja faktike si në aktakuzë, ku në bazë të gjendjes faktike u vërtetuan veprimet e të akuzuarve se si e kanë dëmtuar këtë korporatë”, ka thënë prokurori Abazi.

Ai ka thënë se gjatë këtij procesi, është vërtetuar se të akuzuarit kanë qenë përgjegjës për ato që kanë ndodhur në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

“Në procesverbalin e mbledhjes së drejtorëvë të PTK, Gjonbalaj ka qenë në njohuri të plotë për marrëveshjen e lidhur, në këto mbledhje ka insistuar se kjo marrëveshje të lidhet me prioritet. Ndërsa, anëtarë të tjerë kanë refuzuar që kjo marrëveshje të lidhet pasi është e dëmshme për Postën, por insistimi i tij ka qenë që kjo marrëveshje të lidhet. Se i akuzuari ka qenë i njoftuar me problemin dhe kontestin në fjalë, në atë kohë kryeshefi Ejup Qerimi vazhdimisht e ka njoftuar bordin pë problemet dhe telashet për moszbatimin e kësaj kontrate”, ka thënë ai.

Sipas prokurorit, nuk qëndron pretendimi se Gjonbalaj nuk ka qenë i njoftuar mirë me çështjen e dy kompanive, pasi sipas tij, është vërtetuar se ai ka qenë në dijeni.

“Vendimi të cilin në atë kohë e ka marrë PTK me kryesues të drejtorit të bordit Gjonbalaj ka humbur mjete financiare 32 milionë euro, po ashtu shpenzimet tjera që janë krijuar në këtë kontest jo më pak se 350 mijë euro. Interesi i dikujt ka qenë që të mos zbatohet kjo kontratë, marrëveshjes mes tyre është vërtetuar se kjo kontratë nuk përmban të meta ashtu siç kanë pretenduar ata për shkak se në pikat e saj, dhe në çështjet që këta janë marrë vesh kanë qenë të qarta për faktin se nuk ka pasur dilemë për zbatimin e kësaj kontrate”, ka thënë prokurori Abazi në fjalën e tij përfundimtare.

Ky dëm, i cili është shkaktuar përmes kësaj kompanie, sipas prokurorit, prek xhepat e secilit qytetarë dhe interesat e shtetit.

Seanca po vazhdon me dhënien e fjalëve përfundimtare të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.

Në seancën e mbajtur më 11 tetor, dy nga tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, e kishin mohuar akuzën që i ngarkon për keqpërdorim të pozitës zyrtare, derisa Agron Mustafa, ishte mbrojtur në heshtje.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt.

Sipas këtij aktvendimi, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës  ndaj tyre ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.

Të ngjashme