Ish prokurori serb për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, korrespodenca e të cilit u bë publike nga veteranët e UÇK-së, ka thyer “heshtjen” duke treguar si kanë bashkëpunuar me hetuesit dhe prokurorët e Gjykatës Speciale për dënimin e pjesëtarëve të UÇK-së.
“Kjo gjë është shumë e çuditshme, mua thjeshtë më duket e pabesueshme dhe kjo është e vetmja që mund ta them”, me këto fjalë ka komentuar shkurtimisht për “KoSSev”, prokurori i dikurshëm dhe më i famshëm serb për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, lajmin spektakular që në selinë e “Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së” një mysafir i maskuar, ka sjellë një kuti me 4,000 dosje të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, me paralajmërim që do t’i dorëzojë së shpejti edhe 7,000 dosje tjera.
Pikërisht, korrespodenca e pretenduar e ish-prokurorit Klint Williamson dhe prokurorit serb Vukçeviq ishte një ndër dokumentet e prezantuara në media si dokument që kishte dalë jashtë Prokurorisë Speciale.
Vukçeviq nuk ka qenë i vullnetit që ta komentojë fatin e Gjykatës Speciale, nëse vërtetohet se lajmi është i saktë, përveç që ka përsëritur se nuk mund as të imagjinojë që dokumentet në të vërtetë kanë dalë jashtë.
Një nga dokumentet e pretenduara të Prokurorisë Speciale që “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së” ia ka prezantuar mediave në Prishtinë, është edhe korrespodenca e pretenduar e prokurorëve Williamson dhe Vukçeviq nga viti 2013, transmton RTK.
Prokuroria dhe Gjykata Speciale është themeluar më 1 shtator të vitit 2016 në Hagë, por ajo e ka trashëguar tërë stafin dhe mandatin e Grupit të Posaçëm Hetimor për hetime të pretendimeve të përmbajtura në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe tregtia e paligjshme me organe njerëzore në Kosovë” (Raporti i KE-së), i cili është publikuar në fillim të vitit 2011 dhe udhëhiqej nga Klint Williamson.
Gjykata Speciale është formuar pikërisht duke u bazuar në raportin e prokurorit special amerikan Klint Williamson në vitin 2014, i cili ishte marrë me hetimin paraprak të Raportuesit Special të Komisionit Evropian, zviceranit Dik Martit nga viti 2011.
Vukçeviq në bashkëbisedim me “KoSSev” i ka rikujtuar edhe masat e larta të sigurisë që i kanë ndërmarrë hetuesit në të kaluarën dhe sipas tij, selia e Klint Williamsonit ishte në hapësirat e NATO-s në Bruksel.