Prokurori Special, Sylë Hoxha, është i gatshëm ta marrë për ta hetuar lëndën e veteranëve mashtrues të UÇK’së, që e la në gjysmë ish-prokurori Elez Blakaj.
Madje, me ironi, Hoxha thumbon ish-kolegun e tij, duke i thënë që vazhdon të jetë “shëndosh” përkundër se çdo lëndë që e ka marrë e ka çuar deri në fund.
Një lëndë e rëndësishme po pret që të trajtohet nga një prokuror i guximshëm kosovar. Elez Blakaj që deri para pak ditësh e hetoi këtë lëndë, u dorëzua. Madje doli se është frikacak. Ai dha dorëheqje pasi dyshohet se mori kërcënime.
Bëhet fjalë për dosjen hetimore të veteranëve mashtrues të UÇK’së. Por, një ish-koleg i Blakajt po tregohet trim dhe po thotë se do të dëshironte ta merrte në trajtim këtë rast.
Sylë Hoxha, Prokurori Special i Shtetit, në një bisedë për Gazetën Express, të mërkurën tha se është i gatshëm ta marrë lëndën që ka mbetur pa u përfunduar.
Sipas tij, javën e ardhshme do të kuptohet se kush do të ngarkohet me këtë hetim.
“Kryeprokurori të hënën vjen. Ai vendos për lëndën se si ndahet”, tha Hoxha përmes telefoni.
“Nëse më ofrohet sigurisht se nuk do ta refuzojë. Ne kur kemi konkurrua në prokurori nuk kemi thanë një lëndë e marrë një lëndë se marrë. Unë nëse merret vendim sigurisht që ka me e marrë”, ka shtuar prokurori special.
Tutje, ish-kryeprokurori i Prizrenit thotë se nuk e di arsyen pse ish-kolegu i tij u largua nga detyra duke ofruar dorëheqje. “Nuk e di arsyen e dorëheqjes së Blakajt”, u përgjigj Sylë Hoxha për Gazetën Express, i pyetur për këtë çështje.
Megjithatë, ironik ndaj Blakajt u tregua në vazhdimin e bisedës së tij, prokurori Hoxha.
“Unë çdo lëndë deri tash prej vitit 2000 që e kam marrë e kam çu deri në fund. E që shyqyr tash hala jam shnosh duke i trajtu”, tha ai.
Nga ana tjetër, ish-prkurori special, që javën e shkuar ka dorëzuar dorëheqjen në Prokurori të Shtetit, në një sqarim të tij ka thënë se hetimin e veteranëve mashtrues të luftës e ka konkretizuar me një aktakuzë që sipas tij tashmë ndodhet në sirtarët e kryeprokurorit special Reshat Millaku.
““Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë tërë këtyre viteve, duke vlerësuar lartë ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë. Se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi, në veçanti vlen të ceket bashkëpunimi dhe ndihma e palodhshme e disa prej kolegëve në 10 muajt e fundit, në njërin nga rastet më voluminoze dhe komplekse i quajtur si ‘Rasti i Veteranëve’, për të cilin rast nga 11 Korriku 2018, aktakuzën ia kam përcjell Kryeprokurorit Millaku”, shkruan Blakaj.”, ka shkruar Blakaj.
Ndaj tij ka reaguar kryeprokurori Millaku, duke mohuar pretendimet e Blakajt. Millaku, në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se Blakaj nuk i ka dorëzuar aktakuzë për rastin e veteranëve.
“Është dorëzuar një draftakuzë, jo aktakuzë”, ka thënë shkurtimisht Millaku.
Tutje ai tha se, rastin e veteranëve, por edhe rastet tjera që prokurori Blakaj i ka pasur, do t’i dorëzohen një prokurori tjetër, por se ende nuk është caktuar.
“Po, normalisht se do t’i marrë një prokuror tjetër, por ende nuk është caktuar”, tha Millaku.
Elez Blekaj dyshohet se u largua nga prokuroria pas kërcënimeve që ka marr rresht punës së tij. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Luemzi në ditën kur doli lajmi se Blakaj u largua nga Prokuroria Speciale, njoftoi se ish-vartësi i tij ishte kërcënuar të paktën dy herë. Kërcënimi i parë sipas Lumezit ishte kur Blakaj po ndiqte penalisht imamin Shefqet Kransiqi, ndërsa i fundit gjatë kohës sa ka hetuar listat e veteranëve.
Në të dy rastet Blakajt i ishte ofruar mbrojtje e afërt.