Prokurori thotë se do të vërtetohet fajësia e noteres dhe dy të akuzuarve tjerë, e mbrojtja që s’ka vepër penale

| 29 Jan 2025 | 17:08 | Nga

Noterja Valbona Murtezi-Bytyqi, Bekim Maloku dhe Agim Spahiu janë deklraruar të pafajshëm sërish të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku po akuzohen rreth shitblerjes së një lokali në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Në këtë seancë, u dhanë edhe fjalët hyrëse nga palët në procedurë, ku prokurori tha se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve, kurse mbrojtja e të akuzuarve thotë që s’ka vepër penale. 

Murtezi-Bytyqi akuzohet se në cilësinë e noteres në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar një anekse-kontratë, duke ndryshuar bashkë-blerësit e lokalit. Kursr, Spahiu e Maloku akuzohen se kanë ndihmuar noteren në kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori i rastit, Besnik Jakupi tha se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se në veprimet e të akuzuarve janë manifestuar të gjitha elementet e veprës penale.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar- Krenar Alidema, avokati Burim Azemi, tha se i dëmtuari nuk është i pranishëm pasi gjendet në burg në Zvicër. Kurse, në fjalën hyrëse deklaroi se në këtë rast janë një sërë veprimesh të kundërligjshme.

Fillimisht, tha se klienti i tij bashkë me Bekim Malokun e kishin blerë këtë lokal 50-50 përmes një kontrate të ligjshme. Mirëpo, në mungesë dhe pa pëlqimin e tij, noterja e akuzuar ka përpiluar dhe vulosur një aneks-kontratë për të njëjtin lokal, ku blerës janë paraqitur Bekim Maloku dhe Agim Spahiu.

Sipas tij, përveç që është e paligjshme, kjo përbën edhe një mashtrim të qartë dhe tentativë për të përvetësuar pasurinë e tij dhe përjashtuar atë si bashkëpronar nga lokali për të cilin ka paguar hiç më pak se 250 mijë euro.

Në anën tjetër, mbrojtësi i noteres, avokati Florim Shefqeti u shpreh se në këtë gjykim do të vërtetohet se nuk kemi të bëjmë me vepër penale, por me veprime juridike të lidhjes se aneks- kontratës e cila përveç se është e ligjshme nuk ka procedurë tjetër ligjore përveç kësaj që është ndjekur nga noterja.

Sipas tij, Prokuroria ka thënë se është e kundërligjshme por nuk ka specifikuar se kundër cilit ligj është lidhur, pasi lidhet vetëm në këtë formë. E akuzuara Murtezi-Bytyqi tha se e mbështet në tërësi fjalën hyrëse të mbrojtësit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Maloku, avokati Alban Makolli tha se është e habitshme dhe e paprecedentë që dy qytetarë laikë të ngarkohen për vepër penale se kinse kanë ndihmuar një person zyrtar në kalim të kompetencave, duke mos qenë të punësuar te personi zyrtar dhe pa qenë zyrtarë vetë.

Sipas tij, ankesi i kësaj kontrate nuk ka prodhuar asnjëherë efekte juridike pasi të akuzuarit asnjëherë nuk kanë tentuar që ta përdorin pranë ndonjë institucioni, për të fituar ndonjë të drejtë apo të privojnë dikë nga pronësia, si në rastin e të dëmtuarit Alidema.

Ai shtoi se dy të akuzuarit, përfshirë edhe noteren janë vënë në lajthim nga i dëmtuari dhe se mungesa e tij pasi gjendet në burg në Zvicër tregon shumë për të. Fjalën hyrëse të mbrojtësit Makolli e mbështeti edhe i akuzuari Maloku.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Spahiu, avokati Florent Latifi e mbështeti fjalën hyrëse të avokatit Makolli, duke shtuar se vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor duhet të procedohet me marrjen në pyetje të të dëmtuarit Alidema.

Ai shtoi se fakti që ka dhënë deklaratë në Prokurori për këtë rast dhe të nesermne është nisur për në burgun e Zvcirës “tregon ndoshta për qëllime shumë kriminale”.   Edhe i akuzuari Spahiu tha se e mbështetë fjalën e mbrojtësit të tij.

Në këtë seancë filloi dëshminë e tij Lulzim Çerkini, i cili tha se qëndron prapa asaj që ka thënë në Prokurori, sipas tij, të vërtetën.

Dëshmitari Çerkini tregoi që është pronar legjitim i lokalit, për çka ka edhe fletën poseduese. Tha se këtë lokal ia ka shitur Krenar Alidemës dhe Bekim Malokut 500 mijë euro. Alidema tha se ka kryer obligimin e tij prej 250 mijë euro, ndërsa Maloku ende nuk e ka paguar pjesën e tij, për çka kanë ngritur padi për mospagesë.

Në lidhje me aneks-kontratën e lidhur pastaj, ai tha se e ka nënshkruar te noterja me ftesën e Malokut, por, sipas tij, nuk e di se çfarë ka nënshkruar dhe as kush e ka kërkuar.

Sipas tij, kjo ankes-kontratë është bërë pa prezencën e Alidemës dhe aq sa ka infrormata, pa pëlqimin e tij.

“Dokumentin që ma ka prezantu, kam pyetur a është në rregull duke i besuar autoritetit noterial e cila sipas ligjit është e obliguar që të zbatojë ligjin mbi noterinë. Dokumenti është në rregull më ka thënë, unë nuk e kam ditë përmbajtjen e aneks-kontratës”, u shpreh ndër të tjera Çerkini.

Ai tha se kishte parë Agim Spahiun aty, por nuk e ka ditur se po hyn se bashkëpronar në lokal. Pas disa muajve, thotë se Alidema ka kontaktuar gruan e tij dhe e ka pyetur se çfarë ka ndodhur ashtu me aneks-kontratën dhe nga ai moment kur Alidema ka paraqitur kaëlzimin penal, kanë kërkuar që të merret shteti me këtë çështje.

“Është bërë një aneks-kontratë jashtëligjore, jam i dëmtuar si në aspektin moral dhe material. Nuk kam pas asnjë interes me hjek Krenarin si bashkëpronar të lokalit”, shtoi dëshmitari, duke thënë se e pranon si bashkëpronar pasi ka kryer edhe pagesën.

Sipas informatave të tij, aktualisht lokalin e shfrytëzon barnatorja “Eveer Green”, për çka tha se pronar ka dëgjuar se është Agim Spahiu bashkë më Bekim Malokun.

Ai tha se nuk merr qira për lokalin, sipas tij, si Spahiu ashtu edhe Maloku i kanë paguar një pjesë të parave, nuk i kujtohet se sa por që pjesa tjetër ende është papaguar.

Seanca u ndërpre, për të vazhduar me dëshminë e këtij dëshmitari në një seancë tjetër, ku do të merret në pyetje nga avokatët e të akuzuarve dhe trupit gjykues.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 25 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, noterja Valbona Murtezi-Bytyqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Agim Spahiu dhe Bekim Maloku akuzohen se i kanë ndihmuar të njëjtës për kryerjes e veprës penale.

Sipas aktit akuzues, më 15 shkurt 2022, e pandehura Valbona Murtezi-Bytyqi në cilësinë e noteres të cilës i janë besuar kryerja e autorizimeve publike që të vendos për të drejtat, obligimet ose interesat e personave fizikë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo tjetrit ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme ashtu që ka përpiluar “Aneks-Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë – lokalit në lagjen Ulpiana”.

E përmes të cilit, aktakuza thotë se e pandehura Murtezi-Bytyqi ka ndryshuar njërin nga dy bashkë-blerësit në këtë rast të dëmtuarin Krenar Alidema sipas kontratës bazë, të cilën e pandehura e ka përpiluar pa e pasur pëlqimin apo aprovimin e tij për tërheqje dhe pa e nënshkruar, i cili edhe kishte kryer edhe obligimin sipas kontratës bazë, pagesën e shumës së caktuar për blerjen e lokalit, në bashkë-blerësin e ri, të pandehurin Agim Spahiu.

Tutje aktakuza thotë se me ketë rast i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit Alidema, duke ia mohuar të drejtat e parapara në kontratën bazë dhe ka përfituar personi tjetër, ndërsa i pandehuri Spahiu pas lidhjes se aneks-kontratës nga e pandehura, i njëjti është duke e shfrytëzuar lokalin i cili ka qenë objekt i kontratës bazë dhe aneks-kontratës.

Me këto veprime, Murtezi-Bytyqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë kësaj aktakuze, të pandehurit Spahiu e Maloku akuzohen se në bashkëkryerje e kanë ndihmuar të pandehurën Murtezi-Bytyqi për kryerjen e veprës penale të përshkruar si më lartë, duke nënshkruar “Aneks Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë-lokalit”, pa qenë prezent dhe në dijeni i dëmtuari Alidema.

Me këtë, Spahiu e Maloku ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Ndihmë”, nga neni 33 në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së,  e cila dënohet më dënim më të butë sesa kryesi i veprës. 

Të ngjashme