Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në një komunikatë të përbashkët për medie, kanë dhënë detaje për aksionin e sotëm në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë”, në Prishtinë. Sipas njoftimit, aksioni është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas zhvillimit të hetimit disamujor.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës, kanë realizuar arrestimin e dy personave të dyshuar për përvetësim të kundërligjshëm të fondeve gjatë vitit 2022 në NP ‘’Pallati i Rinisë’’, në Prishtinë.
Të arrestuarit A.Z. dhe F. Rr. dyshohen se kanë kryer veprat penale: ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i KPRK-së dhe ‘’Përvetësimi në detyrë’’ nga neni 418 i KPRK-së.
“Gjatë këtij aksioni është kryer kontroll i detajuar në ambientet e punës së të dyshuarve, ku janë sekuestruar dy telefona celular; dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore; një armë zjarri me 10 fishekë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se me aktvendim të Prokurorit nga PSRK të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.