Prokuroria Speciale e Kosovës konsideron se Agim Çeku dhe 11 të akuzuarit e tjerë, ish-anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohje të Statusit të Veteranit të UÇK-së, kanë qenë vazhdimisht në dijeni se numri i veteranëve po rritej vazhdimit e kështu po dëmtohej me miliona euro buxheti i shtetit.
Këto deklarime janë bërë në fjalën hyrëse të Prokurorisë, në seancën e shqyrtimit kryesor, pasi Gjykata Themelore e ajo e Apelit, e kanë konfirmuar aktakuzën në këtë rast, raporton KTV.
Prokurori, që tani po përfaqëson aktakuzën, tha se përmes dëshmitarëve dhe provave materiale, do ta vërtetojë se të akuzuarit kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.
Këto, sipas Valdet Gashit, prokuror i PSRK-së, faktohen edhe nga deklarimet që kishte bërë Agim Ceku në njërën prej mbledhjeve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së.
Por, ish-anëtarët e Komisionit kanë mohuar pretendimet, duke e cilësuar aktakuzën njollosje të luftës së UÇK-së.
Në fjalën hyrëse, të akuzuarit kanë folur për presion, e madje edhe dhunë fizike që thonë se e patën përjetuar gjatë verifikimit të listave të veteranëve.
Të tjerë të akuzuar kanë thënë se përgjegjësi për këto lista duhet të mbajnë eprorët dhe komandantët e zonave.
Në këtë seancë u përmend edhe një veteran i cili ditë më parë u intervistua në Hagë si pjesë e UÇK-së, derisa, sipas mbrojtjes së Shkumbin Demaliajt, ai, në lista figuron si veteran i rrejshëm.
E ndonëse këtë të mërkurë pritej të dëgjoheshin 6 dëshmitarë, 3 prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës, duke bërë që të dështojë marrja në pyetje e tyre.
Hysni Gucati, Spiro Butko dhe Sami Lushtaku, nuk i janë përgjigjur thirrjes së Gjykatës në cilësinë e dëshmitarit, ndonëse ky i fundit ishte këtë të hënë në seancën gjyqësore të bashkëshortes së tij.
Kjo ka bërë që kryetarja e trupit gjykues të kërkojë që për ditën e enjte ata të sillen me detyrim në gjykatë, derisa për të mërkurën ka liruar nga marrja në pyetje edhe tre dëshmitarët e tjerë, në mesin e tyre edhe komandantin e FSK-së, Rrahman Rama.
E ndonëse në këtë seancë u bënë publikë emrat e personave që do të dëshmojnë në dy ditët e ardhshme, kryetarja e trupit gjykues ka vendosur që mediave t’ua ndalojë publikimin e dëshmive të tyre dhe ka kërkuar që emrat e tyre të publikohen me iniciale.
Në këtë rast janë duke u akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.