Prokuroria e merr në pyetje Shefqet Kabashin për “urdhrat” e luftës për vrasjen e shqiptarëve

Prishtinë | 02 Qer 2019 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Ish-ushtari i UÇK-së në zonën e Dukagjnit, Shefqet Kabashi, të premten ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Pejës, për urdhrin e vrasjes së Rrok Berishës dhe Fadil Bashit që thotë se e mori nga eprori i tij, Alush Agushi. Ky i fundit ka mohuar se ka dhënë urdhrat për vrasje.

Pas deklaratave që Shefqet Kabashi i bëri në emisionin “Pressing” në T7, Prokuroria e Pejës nisi hetim për ato që i rrëfeu. Kabashi thotë se të njejtat fjalë i ka thënë edhe në prokurori dhe i qëndron prapa këtyre deklaratave.

“Sa i përket rastit të Alush Agushit i qëndroj prapa atyre që i kam thënë në studio (emisionin Pressing), nuk i largohem asaj”, tha Kabashi për Gazetën Express.

I pyetur nëse pas rrëfimit që dha ka pasu kontakt me Alush Agushin, Kabashi tha se nuk janë dëgjuar fare. Sipas Kabashit, Alush Agushi ka telashe me Fadil Bashin (ish -ushtar i UÇK-së), për shkak se e kishte kërkuar vrasjen e tij.

Për këtë urdhër, Shefqet Kabashi i kërkon publikisht Fadil Bashit që t’ia falë Alush Agushit. Shton se drejtësia duhet të merret me këtë punë.

“Alushi ta dhan urdhër me vra Fadilin, po kërkoj prej Fadilit me përmbyllë këtë temë edhe me ja lan drejtësisë mu marrë”, thotë tutje Kabashi.

Sipas Kabashit, pasi Bashi ka dëgjuar se Agushi e kërkoi vrasjen e tij, ai i ka thënë Agushit që i ka borxh për këtë punë.

“Masi e ke çu njerin me më vra më ki borxh i ka thanë. E kërkoj prej Fadilit me lan atë punë me ja falë edhe me ja lanë drejtëisë mu marrë me të”, tha Kabashi të dielën për Gazetën Express.

“Kërkoj prej Fadilit publikisht, sikur unë atëherë që e kom rreziku jetën e se kom kry detyrën (urdhërin) tash me ja falë Alush Agushit me lan atë punë me përfunu me qekaq”, përfundoi Kabashi.

Prokuroria e Pejës, ka konfirmuar se ka nisur hetim për deklaratat që Kabashi i dha.

Megjithatë, Alush Agushi i njohur si Mala ka mohuar t’i ketë dhënë urdhër Shefqet Kabashit për t’i vrarë dy shqiptarë gjatë luftës. Agushi ka thënë se Kabashi ka bërë edhe më herët akuza të tillë ndaj udhëheqësve të UÇK’së e më vonë është tërhequr. Sipas tij, ish-ushtari i UÇK’së është i paguar për të bërë akuza të tilla.

Emri i 42-vjeçarit nga rrethina e Pejës, Shefqet Kabashi, u rikthye në publik, gjatë javës së kaluar me rastin e 20-vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës. Kabashi, njëherësh i mbijetuar i kësaj masakre, doli përpara foltores, dhe ua tha në sy kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe zyrtarë tjerë të PDK-së si Hajredin Kuçi e Nait Hasani se nuk e meritonin të ishin të pranishëm në këtë manifestim.

Ai insistonte të fliste edhe më shumë u tha tradhëtarë dhe “marre duhet me ju ardhë”, por menjëherë u arrestua.

Gazeta Express gjatë ditës së dielë ka raportuar ekskluzivisht se prezantuesja e lajmeve në televizionin publik, RTK, Alketa Gashi Fazliu, është kërcënuar me jetë ditën kur moderoi ceremoninë e 20-vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës. Siç thotë ajo, disa orë më vonë në e-mailin zyrtar të programit “Mirëmëngjesi Kosovë”, i erdhi një audio-incizim ku një person që shpërndanë deklaratat e Kabashit në Facebook, E.B, kërcënon seriozisht Alketa Gashi-Fazliun. 

Të ngjashme