Dy gra dhe një burrë, të cilët janë në mesin e 110 kosovarëve të kthyer nga Siria, kanë qenë të mitur në kohën kur dyshohet se kanë kryer veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në organizatë terroriste.
R.T ishte i mitur në kohën kur ai dyshohet se iu bashkua grupeve terroriste në konfliktin e Sirisë. Ai u arrestua nga institucionet në momentin e mbërritjes në Kosovë, natën e 19 prillit, ndërsa dy gratë, të cilat po hetohen për veprën e njëjtë penale, pjesëmarrje apo bashkim në organizata terroriste po ashtu ishin të mitura kur udhëtuan për në Siri.
Prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë për Radio Evropa e Lirë se ndaj këtyre tre personave është duke u zhvilluar procedura ndaj të miturve.
“Po zhvillohet procedura për të mitur ndaj dy femrave dhe ndaj një mashkulli. Këta kanë qenë të mitur në momentin kur kanë shkuar, pra kur kanë marrë pjesë në këto formacione ushtarake. Tani asnjëri nuk janë të mitur, por koha kur konsiderohet se e kanë kryer veprën penale, kanë qenë të mitur”, deklaroi Hoxha.
Përveç 32 grave të cilave u është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe katër luftëtarëve që janë në paraburgim, institucionet e Kosovës nuk janë duke hetuar asnjë nga të miturit e tjerë të kthyer në Kosovë, konfirmon Prokuroria Speciale e Kosovës.
Pak kohë pas kthimit të 110 kosovarëve, hetuesit policorë intervistuan gratë e kthyera nga Siria ndaj të cilave rifilluan hetimet për dyshimet për bashkim apo pjesëmarrje në organizata terroriste.
Me 19 prill, institucionet kthyen nga Siria në Kosovë, 110 kosovarë duke përfshirë katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë duke e bërë kështu Kosovën ndër vendet e para në botë që rikthen qytetarët e saj në mënyrë të organizuar nga Siria.