Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë s (PSRK), ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënim më të lartë ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha, i cili më 28 prill 2023 ishte dënuar nga Themelorja me 2 vite e gjysmë burgim dhe dënim unik me gjobë në shumën prej 5 mijë euro për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim të revoles pa leje. Mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha kërkoi lirimin e ish-gjyqtarit.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, të njëjtit i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ku i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratë publike dhe shtetërore për tri vitet e ardhshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit referues Burim Ademi, ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ankesë ka paraqitur PSRK, duke i propozuar Apelit që lidhur me këtë çështje penale, të ndryshohet pjesa e vendimit lidhur me dënimin dhe t’i shqiptohet një dënim më të lartë nga ai i Themelores.
Gjithashtu, gjykatësi Ademi tha se ankesë ndaj aktgjykimit ka paraqitur edhe avokati Berisha, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, Ligjit Penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbi shqiptimin e sanksionit penal.