Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka inicuar rast në drejtim të veprës penale “ngacmimi seksual” ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila tha se prokuroria e ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas KPRK-së”.
“Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht mund t’iu konfirmojmë se në kuadër të veprimeve hetimore janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe veprime të tjera, konform dispozitave të KPPRK-së”, tha Ulaj.
Këtë të martë, Këshilli i Etikës i ka rekomanduar Rektoratit pezullimin e Krasniqit, vendim të cilin më pas e ka marrë Rektori, Qerim Qerimi.
Kundër vendimit të Rektoratit kanë dalë Lëvizja Feministe Studentore, të cilat thanë se Krasniqi duhet të shkarkohet e jo të pezullohet.