Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, që ta dënojë me burgim maksimal të pandehurin Naser Pajazitaj, i cili akuzohet për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.
Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj në seancën e së hënës, ku ka përfunduar rigjykimi në këtë rast.
Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.Pajazitaj ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit, më pas e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Në seancën e së hënës, ndër të tjera, prokurorja tha se informata e parë që familja e tani të ndjerës për zhdukjen e bijës së tyre, e kishte marr nga tani i akuzuari Naser Pajazitaj.Sipas saj, është vërtetuar në tërësi se i akuzuari Pajazitaj kishte kryer vrasjen e tani të ndjerës duke e shfrytëzuar besimin dhe padjallëzinë e viktimës dhe e njëjta ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit nga dy kalimtarë të rastit.
Prokurorja tha se i akuzuari kishte dhënë disa dezinformata familjarëve të tani të ndjerës, kinse e kishte parë atë në disa vende, mirëpo ky veprim nga i akuzuari, sipas saj, ishte bërë me qëllim të shmangies së gjetjes së trupit të viktimës.Ndër të tjera, ajo shtoi se përmes kamerave të siguruara ishte vërtetuar fakti se i akuzuari në ditën kritike, nuk kishte qenë në varrimin e një bashkëfshatari.Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollqaku kërkoi që i mbrojturi i tij, Naser Pajazitaj të lirohet nga aktakuza në mungesë të provave.
Kollqaku tha se i mbrojturi i tij nuk e kishte marrë tani të ndjerën me veturë, sipas tij, vërtetohet nga raporti i ekzaminimit të makinës së të akuzuarit të kryer në Ankara të Turqisë.Sipas avokatit Kollqaku në vendin e ngjarjes nuk ishin gjetur asnjë gëzhojë e armës, ndërsa në veturën e të pandehurit nuk janë gjetur mostra të fijeve të flokut të Donjeta Pajazitaj.
Kurse, Naser Pajazitaj në fjalën e tij përfundimtare, tha se betohet se ai nuk kishte të bënte me vrasjen e Donjeta Pajazitaj dhe se nuk dinte asgjë me vrasjen e saj.Pas precizimit të aktakuzës nga prokuroria ku është heq pjesa lidhur me armën e panjohur me të cilën pretendohet se është përdorë për kryerjen e vrasjes, i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes dhe disa fishkë të gjetur në shtëpinë e tij.
Ndryshe, para dhënies së fjalës përfundimtar, janë lexuar provat materiale dhe janë transmetuar video-incizimet ku shihet vetura e të pandehurit Naser Pajazitaj në ditën kritike pranë shtëpisë së Jusajve, për të cilën, prokuroria pretendon se e i akuzuari e kishte marrë Donjeta Pajazitaj.Gjithashtu, është shikuar edhe video-incizimi ku i akuzuari në një aheng familjar gjuan me armë të zjarrit.I akuzuari Naser Pajazitaj, e shfrytëzoi të drejtën e tij, ligjore sikurse në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësore të mbrohet në heshtje.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet në orën 15:00, raporton Betimi për Drejtësi.
Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kurse e kishte dënuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për çka Pajazitaj, ishte dënuar me dënim unik prej një dy vjet e katër muaj burgim.
Sipas këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të dëshmohet se i akuzuari kishte kryer vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ndryshe ka qenë edhe kushërira e tij.