Prokurori Metush Biraj, të hënën, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, që drejtoreshën e shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, Behare Kryeziu, ta shpallë fajtore për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe ta dënojë sipas ligjit.
Prokurori Biraj, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka deklaruar se me provat administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor në këtë rast, trupi gjykues, është bindur se në tërësi është dëshmuar aktakuza dhe fajësia e të akuzuarës.
Biraj ka thënë se nga deklaratat e dëshmitarëve dhe të akuzuarës është vërtetuar se dokumenti i falsifikuar është përpiluar dhe nënshkruar nga e akuzuara dhe se dokumenti është tentuar të përdoret për punësim si edukatore, në një konkurs të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Prizren.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Kujtim Kërveshi, ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarën ta lirojë nga akuza në mungesë të provave, pasi që sipas tij, as organi i akuzës e as trupi gjykues, nuk posedon dokumentin për të cilin pretendohet se e akuzuara e ka falsifikuar.
Kërveshi ka thënë se aktakuza është ngritur në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale sepse nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prizren, i cili, sipas tij, është obligativ në rastet kur i akuzuari rrezikon të dënohet me mbi tre vjet burgim.
Avokati tutje ka thënë se dëshmitari kryesor mbi të cilin edhe është ngritur aktakuza, ka bërë manipulim me dokumentet të cilat i ka paraqitur në polici, në të cilat as nuk ka vulë e as ndonjë element zyrtar, por se janë vetëm disa foto të bëra keq.
Sipas avokatit Kërveshi, klientes së tij fare nuk i është prezantuar dokumenti i cili pretendohet se është falsifikuar nga ajo, por se vetëm është pyetur a ka nënshkruar një vërtetim për praktikë e që dokumente të tilla, sipas tij, ajo nënshkruan vazhdimisht si pjesë e punës së saj të përditshme.
Po ashtu edhe rreth tentimit të përdorimit të vërtetimit të falsifikuar për punësim, Kërveshi ka thënë se organi i akuzës nuk ka paraqitur qoftë një dokument të vetëm me të cilën do të vërtetonte një pretendim të tillë, ndërsa lehtë do të mund të dëshmohej me prezantimin e dokumentit të protokoluar sipas konkursit të pretenduar.
Kryetari i turpit gjykues, Skender Çoçaj, pas përfundimit të fjalëve përfundimtare nga palët, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për nesër, 22 maj 2018, në ora 09:30.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, akuzon Behare Kryeziun se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, ka përpiluar një vërtetim me të dhëna të rreme, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe vulosur, në mënyrë që të përdoret punësim.
Sipas aktakuzës, e akuzuara ka lëshuar vërtetim për Suzana Ajazajn, kinse ajo ka bërë zëvendësimin e një edukatoreje të shkollës në fjalë, në periudhë prej gjashtë muajsh, i cili vërtetim më pas do të përdorej nga Ajazaj për të konkurruar për punësim si edukatore.
Andaj, organi i akuzës, pretendon se e akuzuara Kryeziu, me veprimet e saj ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, andaj e njëjta rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.