Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit policor të akuzuar për marrje ryshfeti, mbrojtja lirimin e tij

Prishtinë | 10 Sht 2024 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Fidan Mati, kurse mbrojtësi i tij, avokati Korab Bokshi kërkoi lirimin e Matit.

Në këtë rast, Fidan Mati akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka marrë 100 euro nga e dëmtuara A.F., të cilën e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Beqiraj-Hyseni tha se pas mbajtjes së seancave të kësaj çështjeje dhe administrimit të provave, ka ardhur në përfundim se është vërtetuar që i akuzuari Mati ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ajo kërkoi që t’i falet besimi i plotë deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarës, të cilat i cilësoi të ligjshme dhe të besueshme.

Beqiraj-Hyseni i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe si rrethanë rënduese ta marrë dashjen, faktin se i njëjti është person zyrtar dhe prishjen e imazhit të Policisë së Kosovës, ndërsa si rrethanë lehtësuese ta marrë sjelljen korrekte gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe në fund propozoi që gjykata t’i shqiptojë edhe dënim plotësues.

Ndërsa, avokati Bokshi tha se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, se provat janë të pamjaftueshme dhe se ato nuk janë të besueshme.

Në fund i propozoi gjykatës që ta aplikojë parimin “in dubio pro reo” dhe ndaj të mbrojturit tij të merret aktgjykim lirues.

Në seancën e mbajtur më 4 shtator 2024, i akuzuari Mati ishte deklaruar i pafajshëm.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 6 nëntor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fidan Mati, të cilin po e akuzon se në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Gjakovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar të holla në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se zyrtari policor Flamur Frrokaj e kishte ndaluar automjetin të cilin po e drejtonte A.F. dhe e kishte njoftuar të njëjtën se e kishte tejkaluar shpejtësinë nga 50km/h ku ishte duke vozitur në 80km/h, dhe se asaj duhet t’i shqiptohet gjobë 300 euro dhe t’i konfiskohet patentë shoferi për 6 muaj.

Sipas aktakuzës, e dëmtuara njofton zyrtarin policor se jeton jashtë vendit- në Zvicër dhe kërkon nga zyrtari policor mos t’ia marrë patentë shoferin, ku i njëjti e drejton të dëmtuarën të shkojë tek kolegu i tij, i pandehuri Mati i cili ishte në veturën e policisë.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara kur afrohet tek automjeti i policisë, i pandehuri Mati ia kërkon 300 euro, teksa e njëjta ishte përgjigjur se 300 euro nuk i ka por vetëm 100. Ai ishte pajtuar me këtë shumë të të hollave dhe e udhëzon që këto të holla t’i fut në librezë dhe mos ta vërejë askush.

Gjthnjë sipas aktakuzës, e dëmtuara shkon në veturën e saj. i merr 105 euro dhe i vendos në librezë, më pas ia jep të pandehurit Mati, ndërsa pasi ai i pranon këto të holla, ia kthen librezën duke mos i dhënë asnjë dëshmi-dokument, për këtë lloj pagese.

Për këtë, i akuzuari Mati po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par 1. të Kodit Penal.

Të ngjashme