Koordinatori i veprave penale për degradimin e ambienti dhe mjedisit në Prokurorinë Themelore të Pejës, prokurori i shtetit, Ersan Qavolli, ka mbajtur takim me Policinë e Kosovës, drejtorët e drejtorive të inspektorateve komunale(Pejë, Klinë, Deçan, Istog, Junik), ku temë diskutimi e këtij takimi ka qenë parandalimi i degradimit të ambientit dhe mjedisit në kompetencën territoriale të kësaj prokurorie.
“Gjendja në teren u konstatua jo e mirë për shkak se, nga veprimtaria e gurthyesve dhe seperacioneve të zhavorrit ka degradim të ambientit dhe mjedisit, nëpër zonat ku zhvillohen këto veprimtari, andaj, të pranishmit u pajtuan që duhet ndërmarrë masa urgjente për parandalimin e kësaj dukurie.
Disa nga konkluzionet e nxjerra nga ky takim janë : Identifikimi i të gjitha separacioneve dhe gurthyeseve në hapësirën territoriale të Prokurorisë Themelore të Pejës, hartimi i një plani urgjent të veprimit, sekuestrimi i pajisjeve me të cilat është kryer vepra penale komform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin për media.
Pjesëmarrësit e takimit u dakorduan që takimi i radhës të mbahet pas tre (3) muajve, ku do vlerësohen edhe rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe kohore nga secili institucion.