Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për përfshirje në vrasjen që ndodhi të hënën e 11 shtatorit në Podujevë.
Teksa i dyshuari tjetër për këtë rast është ende në arrati.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, prokurori i rastit, Ilaz Beqiri.
“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj njërit të dyshuar për vrasjen e ndodhur në Podujevë nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, ka thënë Beqiri.
Për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Një ngjarje e trishtë ka ndodhur të hënën, më 11 shtator, në qytetin e Podujevës, ku një person është vrarë, ndërsa gruaja e tij është plagosur.
Rastin tragjik e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, gjersa motivet e rastit ende nuk dihen.
“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur”, ka njoftuar të hënën zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në ndriçimin e rastit.
“Me të pranuar informatën nga Policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Aktualisht, Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Kjo është vrasja e dytë për të cilën policia ka raportuar vetëm brenda muajit shtator.