Një nga aferat me të përfolura në Kosovë, ajo e homologimit, siç ka mësuar KOHA, ka pak gjasë që të marrë vendim përfundimtar nga gjyqësia.
Vitin e kaluar Prokuroria Speciale në koordinim me Taskforcën Kundër Korrupsionit patën nisur hetime parapenale për këtë rast.
Megjithatë, siç ka mësuar KOHA, prokurorja e rastit tashmë ua ka kumtuar hetuesve që rasti është mbyllur.
KOHA e ka kontaktuar prokuroren e rastit, Fikrije Fejzullahu. Ajo ka thënë se do të përgjigjet përmes Zyrës për Informim, por një gjë të tillë nuk e ka bërë.
Mbylljen e hetimeve për një nga skandalet më të mëdha në Kosovë e ka komentuar Policia e Kosovës.
Përmes një përgjigjeje të shkurtër, nga ky institucion kanë thënë se prokurorja e rastit e ka njoftuar gojarisht hetuesin që hetimi është mbyllur.
“Kemi kërkuar që një gjë e tillë të na bëhet e ditur me shkrim, por ende nuk kemi marrë përgjigje”, kanë thënë nga Policia.
Ky hetim ka pasur vazhdimisht zvarritje.
Siç ka mësuar KOHA më 25 gusht të vitit 2019, hetuesit patën kërkuar autorizim për intervistimin e disa figurave politike të përfshirë në këtë rast.
Secili qytetar që ka importuar veturë nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Nëse kalkulohet vlera që një kompani private ka fituar përmes homologimit, llogaritet të jetë rreth 30 milionë euro për 10 vjet.
Ministria e Infrastrukturës ia pati dhënë monopolin për homologim kompanisë “Eurolab”. Tarifa për homologim ishte 125 euro.
Në vitin 2017, janë importuar me shumë se 30 mijë vetura. Bazuar në këtë, më shumë 3 milionë euro të homologimit kanë shkuar për këtë kompani.