Pas më shumë se një viti nga vdekja e gjashtë pacientëve që po trajtoheshin nga COVID-19, brenda një periudhe të shkurtër në Klinikën Infektive, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbyllur këtë rast, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur nga kjo prokurori dhe kanë bërë të ditur se pas raporteve të autopsisë, ka rezultuar se 6 rastet kanë qenë vdekje të natyrshme.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve dhe trajtimit të rastit në fjalë, më 11.10.2021, e ka mbyllur këtë rast”.
“Nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se kanë qenë vdekje të natyrshme dhe të njëjtit kanë qenë të infektuar me COVID-19“, kanë thënë nga kjo Prokurori.
Dyshimet e para për këtë ngjarje të rëndë ishin te mosfunksionimi i sistemit të oksigjenit të Infektivës. Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishte nisur menjëherë hetimet.
Pas ngjarjes së rëndë të 5 korrikut 2020, opozita e atëhershme kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Por, Ministria e Shëndetësisë, në një reagim, kishte kërkuar që të priten rezultatet e hetimit, të cilat edhe sot pas një viti ende nuk dihen.