Rasti i vrasjes së Oliver Ivanoviq më 16 janar të vitit të kaluar pritet të marrë epilog final.
Kjo pasi që Prokuroria Speciale do të ngris së shpejti aktakuzat për Marko Rosiq dhe Nedeljko Spasojeviq, shkruan lajmi.net.
Këtë e ka konfirmuar edhe Prokurori Special, Sylë Hoxha në një deklaratë për media serbe.
Ai ka thënë se aktakuzat do të ngriten 15-20 ditët e ardhshme.
“Këtë muaj, aktakuzat ngriten 15 deri 20 ditët e ardhshme”, ka thënë Hoxha.
Hoxha po ashtu ka thënë se Prokuroria Speciale ka prova të reja që ndërlidhen me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, mirëpo që të njëjtat do të bëhen publike vetëm pas ngritjes së aktakuzave.
Deri më tani, nga ajo që dihet, shtatë persona janë të ndërlidhur me vrasjen e ish-liderit të SDP-së në Mitrovicë të Veriut.
Megjithatë, në liri po vazhdon të jetë i dyshuari kryesor, Milan Radojiçiq ndaj të cilit është lëshuar edhe fletëarrest ndërkombëtar.