Prokuroria në Gjakovë sot paraqet kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në ditën e djeshme

Gjakovë | 13 Mar 2019 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Në Marmullë të Gjakovës dje ka ndodhur një vrasje dhe një plagosje me armë zjarri.

I dyshuari A. Gj., nga i njëjti fshat ka privuar nga jeta T.B., i moshës 40 vjeç dhe ka plagosur një person tjetër A.N., 56 vjeçar

Kështu Prokuroria Themelore në Gjakovë bënë të ditur se sot pritet që prokurori i rastit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurit të paraqet kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ja komunikata e plotë:

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton që  me datë 12.03.2019, rreth orës 18:30, në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës, ka ndodhur një vrasje dhe një plagosje me armë zjarri.

I dyshuari A. Gj., nga i njëjti fshat ka privuar nga jeta T.B., i moshës 40 vjeç dhe ka plagosur një person tjetër A.N., 56 vjeçar.

 Sipas deklaratës së të plagosurit, dyshohet se motivi është pronësor.

Policia pasi ka bastisur shtëpinë e të pandehurit, e ka arrestuar të njëjtin dhe i ka konfiskuar armën me të cilën i ka kryer veprat.

Nga ana e Njësisë së forenzikës së policisë rajonale është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe janë siguruar dëshmitë e nevojshme.

Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të Prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa personi i cili ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në Spitalin “Isa Grezda”, në Gjakovë, dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Sot pritet që prokurori i rastit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurit të paraqet kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Të ngjashme