Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se ka ngritur gjashtë (6) aktakuza, kundër gjashtë (6) personave, të pandehurve F.A., R.R., A.A., I.R., A.H. dhe F.D., për shkak të veprës penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzave, të pandehurit F.A., R.R., A.A., I.R., A.H. dhe F.D., kanë vënë në lajthim Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës dhe Ministrinë për Mirëqenie Sociale, në atë mënyrë që i kanë plotësuar me të dhëna të pavërteta aplikacionet e dedikuara për pjesëmarrësit aktiv në UÇK, se kinse kanë qenë të angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikës, ku këto aplikacione i kanë dorëzuar në Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Gjilan, me ç’rast të pandehurve iu është njohur statusi i veteranëve të luftës dhe e drejta në pension mujor prej 170 Euro.
Të pandehurit F.A., R.R. dhe A.A., veç e veç kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 8,840€ , i pandehuri I.R., në shumë prej 5,610€ , i pandehuri A.H., në shumë prej 7,140€ dhe i pandehuri F.D., në shumë prej 5.540€.
Të gjithë të pandehurit kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 44.810 Euro.
Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzave i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurit të shpallen fajtor për veprën penale dhe të njëjtit të obligohen që të kompensojnë dëmin e shkaktuar.