Prokuroria Themelore në Prizren ka iniciuar hetime me vetiniciativë lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.
Sipas komunikatës për media, hetimet janë nisur në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike për këtë proces, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
“Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë, ka iniciuar hetime me vetiniciativë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria njofton se janë intervistuar gjithsej 72 persona të dyshuar.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar shtatëdhjetë e dy (72) të dyshuar”, bën të ditur Prokuroria.
Nga ta, 19 persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Nëntëmbëdhjetë (19) prej tyre, pas intervistimit në polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të vlerësojë edhe masat e mëtejme procedurale ndaj të dyshuarve.
“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, theksohet në njoftim.
Në fund, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për mbrojtjen e procesit zgjedhor.
“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit”, përfundon komunikata.