Mitrovicë- Ndaj aktgjykimit të shpallur më 27 prill 2022 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me të cilin ish-zyrtari policor, Slavisha Vukojeviq, i akuzuar për tri vepra penale të marrjes së ryshfetit u lirua nga akuza, është ushtruar ankesë drejtuar Gjykatës së Apelit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht prokurori i rastit Sahit Tmava.
Sipas këtij aktgjykimi, nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe provave të tjera nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer tre veprat penale të marrjes së ryshfetit për të cilat akuzohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Tmava brenda afatit ligjor ka atakuar këtë aktgjykim me ankesë drejtuar Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 të KPPK-së, si dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nga neni 386 të KPPK-së.
Në arsyetimin e ankesës prokurori Tmava konsideron se në aktgjykimin e goditur gjykata ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për arsye se arsyetimi i aktgjykimit është konfuz si dhe kontradiktor me dispozitivin e aktgjykimit.
Sipas prokurorisë nga vlerësimi i provave të nxjerrura gjatë shqyrtimit gjyqësor e të përshkruara në arsyetim të aktgjykimit qartë rrjedhë se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.
“Gjykata me aktgjykimin e goditur ka bërë vërtetimin e gabueshëm të gjendjes faktike kur të akuzuarin e ka liruar nga aktakuza për shkak të kryerjes së veprave penale të cilat i vihen në barrë, edhe pse nga provat e administruara që gjenden në shkresat e lëndës rezulton se i akuzuari ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet”, thuhet tutje në arsyetimin e ankesës.
Prokurori Tmava shton se nga provat e nxjerra gjatë shqyrtimit gjyqësor si deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve Branko Pllavshiq, Zahit Ibrahimoviq dhe Ivan Radulloviq të paraqitura në Inspektoratin Policor të Kosovës në Prishtinë, rrjedhë se i akuzuari i ka kërkuar dhe marrë 120 euro nga i dëmtuari Zahit, e më pas i ka thënë se “tash je i lirë dhe se ti na ki ende borxh”.
Tutje, sipas prokurorit Tmava, edhe nga deklaratat e dhëna në IPK nga të dëmtuarit-dëshmitarët Branko Pllavshiq dhe Ivan Radulloviq rezulton se i akuzuari së bashku me të akuzuarin tjetër Radosllav Pavlloviq (për të cilin ishte veçuar procedura), të njëjtëve u kanë kërkuar para ashtu siç theksohet në pikën 1 dhe 3 të dispozitivit të aktakuzës.
Nga rrethanat e lartpërmendura në ankesën e ushtruar, prokurori Tmava i propozon Gjykatës se Apelit që aktgjykimin e Gjykatës Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Mitrovicë ta anulojë tërësisht dhe lëndën ta kthej në rigjykim dhe rivendosje.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 25 korrik 2014, Slavisha Vukojeviq, po akuzohet për kryerjen e tre veprave penale të marrjes së ryshfetit.
Ai akuzohet se më 20 janar 2013, në Leshak, Komuna e Leposaviqit, si person zyrtar në Policinë e Kosovës, së bashku me të pandehurin Radosllav Pavlloviq, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar përfitim material që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Slavisha Vukojeviq, të dëmtuarin Branko Pllavshiq, e ka ndalur dhe i ka kërkuar dokumentet e automjetit, e pasi që i dëmtuari nuk i ka pasur, i është drejtuar me fjalët “do ta shkruaj dënimin prej 80 euro dhe do ta dërgojë në Vushtrri të flejë nëse nuk i jep 20 euro”.
Përveç kësaj, në pikën II të aktakuzës, Slavisha Vukojeviq akuzohet se më 28 janar 2013, në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në pozitën e zyrtarit policor, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim material nga i dëmtuari Zahit Ibrahimoviq, i cili ka qenë me kamion duke transportuar bagëti, ku thuhet se i njëjti ua ka treguar dokumentet e nevojshme të Agjencisë së Ushqim dhe Veterinarisë, por se i akuzuari Vukojeviq së bashku me të pandehurin Pavlloviq, i kanë thënë se ato nuk vlejnë dhe i kanë kërkuar dhe kanë marrë 120 euro.
Ndërkaq, në pikën III të aktakuzës, Slavisha Vukojeviq, po akuzohet se më 13 shkurt 2013, në fshatin Postenjë, Komuna e Leposaviqit, në bashkëveprim me të pandehurin Radosllav Pavlloviq, të dëmtuarin Ivan Radulloviq të cilit i kishte kaluar regjistrimi, e kanë ndalur dhe i kanë kërkuar 10 euro. Në këtë pikë të aktakuzës, thuhet se përveç kësaj, i akuzuari Vukojeviq ka tentuar që nga i dëmtuari në fjalë të marrë një paketim me pashteta prej 15 copësh.
Me këtë, Slavisha Vukojeviq, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ngarkohet për kryerjen e tre veprave penale të marrjes së ryshfetit, nga neni 428, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sa i përket përfshirjes së të akuzuarit tjetër në këtë rast, Radosllav Pavlloviq, procedura penale ndaj tij ishte zhvilluar ndaras dhe ai nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në qershor të vitit 2017, në mungesë të provave është liruar nga akuza.