21 ton mish i prishur ishte konfiskuar e më pas asgjësuar në depot e Bashkësisë Islame në muajin që lamë pas.
Kjo sasi e mishit ishte destinuar të shpërndahet nëpër qytete të ndryshme të Kosovë për nder të festës së Kurban Bajramit, shkruan lajmi.net.
Në lidhje me çështjen në fjalë, Bashkësia Islame e Kosovës kishte formuar Komision Hetues, në mbledhjen e mbajtur më 29 gusht.
E përgjegjësit për skandalin në fjalë, duket se nuk do t’u shpëtojnë duarve të drejtësisë.
Kjo për shkakun se Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetimet lidhur me rastin.
Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.
Ajo ka thënë se është duke u punuar në hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti.
“Duke ju referuar kërkesës suaj për informata, lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke i zhvilluar hetimet deri në ndriçimin e këtij rasti”, ka thënë ajo.
Theksojmë, se Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, më datë 21 gusht 2019, kishte kërkuar nga AUVK-u, që të jap mendimin profesional për sigurinë e një sasie të mishit të kurbaneve që ndodhej në depon e cila është marrë me qira.
AUVK është kontaktuar pas dyshimit që kanë ngritur aktivistët dhe një pjesë e përfituesve të mishit të kurbanit.
Me të marrë këtë shqetësim, kryesia e BIK-ut, fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë.
Inspektorët e AUVK pasi që kanë dalë në vendngjarje, kanë konstatuar se mishi që gjendej në depo nuk është i sigurt për konsumim dhe se i njëjti duhej të asgjësohej, gjë që edhe ka ndodhur, pra është asgjësuar në të njëjtën ditë nën mbikëqyrjen e AUVK, duke respektuar të gjitha procedurat që i parashohin ligjet në fuqi.
Gjatë festës së Kurban Bajramit, nga BIK-u ishin therur kurban 1391 krerë lopë.
Aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari, ku janë therur 1150 krerë lopë dhe një në Istog, ku janë therur 241 krerë lopë.
Mishi i asgjësuar i përket një sasie të mishit të therur në Istog, që sipas inspektorëve të AUVK është prishur, pasi që nuk është ngrirë në përmasat e duhura.