Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një komunikate për media, lidhur me rastin e dosjeve në zyrat e Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se aktualisht Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje.
Sipas tyre zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal.
Njoftimi i plotë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka pranuar pyetje të shumta nga mediat lidhur me hetimin rreth dërgimit të dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, të cilat dokumente potencialisht ndërlidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e gatshme të asistojë, nëse diçka e tillë kërkohet.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton publikun që zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të jetë e dënueshme me dënim me burgim.