Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ftuar për intervistim kryeministrin Albin Kurti.
Në thirrjen e Prokurorisë Speciale, të cilën e ka publikuar zëdhënësi i Qeverisë, thuhet se Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30.
“Në mbështetje të nenit 120 te Kodit nr. 08/L-032 te Procedurës Penale tẽ Kosovës (KPP), detyroheni qẽ t’i përgjigjeni thirrjes. Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 (dyqindepesedhjete) Euro për çdo mosparaqitje”, thuhet në thirrje.
Vepra penale, e cila përmendet në thirrje, (neni 414) është “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për këtë ka reaguar, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili konstaton se “kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.
Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.