Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se deklarimet e qeverisë janë deklarata denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëveve dhe institucioneve të prokurorisë minojnë integritetin, cenojnë edhe besimin e publikut dhe sundimin e ligjit, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën për media, ai ka thënë se janë ngritur aktakuza për pesë ish ministra të kabineteve tjera qeveritare dhe se aktualisht nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për ministrat aktual.
“Dua të ju them se ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetëror. Ju bëjë thirrje të gjitha institucioneve dhe qeverisë të shmangin retoriken që sulmon institucionet e drejtësisë. Prokuroria Speciale dhe sistemi gjyqësor dhe prokuroria nuk janë për të bërë skenare, në punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as nga pozita as nga emri. Unë me sinqeritetin më të madh ju them se nuk kam informacione nëse dikush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë unë nuk di”, tha ai.
Isufaj tha se prokuroria punon vetëm në bazë të provave në ligjit dhe kushtetutës.
“Deklarata denigruese edhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin, por e cenojnë edhe besimin e publikut dhe sundimin e ligjit. Aktualisht kemi të ngritura aktakuza për 5 ish ministra të kabineteve tjera qeveritare. Nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual. I kemi të hedhura 17 kallëzime penale për ministrat aktualë në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që ne nuk punojmë në mënyrë selektive. Ne punojmë vetëm në bazë të provave në ligjit dhe Kushtetutës”, tha Isufaj.