Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media të mërkurën, Isufaj ka thënë se vonesat kanë ndodhur për shkak të pranimit të rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.
“Prokuroria Speciale ka punuar intensivisht duke zhvilluar hetime disamujore në këtë rast të madh dhe shumë kompleks. Pas përfundimit të hetimeve dhe analizimit të provave, duke u mbështetur në dyshimin e mirëbazuar sot kemi ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve. Për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”, ka thënë Isufaj.
“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit kemi qenë të kufizuar për të dhënë informacione për çfarë kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesave të kësaj aktakuze. Pasi kemi pranuar këto raporte, brenda afatit ligjor ka ngritur aktakuzën për këtë rast”, u shpreh ai.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.