Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, në rastin e njohur “KEK” kundër të pandehurve N.K., Y.D., I.Z, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e aktakuzës është dhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Dëmi i buxhetit të Kosovës, është rreth 37 milionë euro, ka njoftuar PSRK-ja nëpërmes një konunikate për medie.
“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion Euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim
Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme.
Kjo është aktakuza e dytë ndaj Nagip Krasniqit, ish-kryeshef në KEK dhe anëtar i Vetëvendosjes.
Për këtë rast ishte intervistuar edhe Dejona Mihali e Artane Rizvanolli.
Sipas aktakuzës së parë, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se, operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.
Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.
Nga provat e prokurorisë, tregohet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë.
Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të pa licencuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19.08.2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave, KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.