Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë për keqpërdorim në prokurim publik, dëm 36 mijë euro buxhetit

Prishtinë | 10 Shk 2026 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, B.D., në cilësinë e personit zyrtar dhe menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 – 31.12.2024, “ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizimin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit”.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, L.Z., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “L.P.” SH.P.K., “gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht”.

Si pasojë e këtyre veprimeve, Prokuroria Speciale bën të ditur se “buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 euro”.

Po ashtu, Prokuroria ka propozuar që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese, përfshirë “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”.

Të ngjashme