Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për 53 milionët e autostradës, Kryeziu: Shkarkimi i Berishës ishte i drejtë

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Pal Lekaj, ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha dhe N.SH, për 53 milionë eurot i ishin dhënë konsorciumit “Bechtel-Enka” për projektin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Han i Elezit, në emër të kamatë-vonesës.

Eset Berisha në maj të vitit të kaluar ishte shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Aviacionit Civil të Kosovës me vendim të Qeverisë Kurti 1.

Berisha e kishte paditur qeverinë për këtë vendim, të cilin qeveria Kurti e quan të ligjshëm.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se ngritja e aktakuzës ndaj Berishës, fakton vendimin e drejtë të ekzekutivit të udhëhequr nga Kurti.

“Në maj të vitit 2021, atëherë drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha ishte shkarkuar me vendim të Qeverisë Kurti 1”, shkruan Kryeziu në llogarinë e tij në Facebook.

“Kundrejt padisë së tij ndaj Qeverisë, së fundmi Gjykata ka vendosur se vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Eset Berishës ishte i ligjshëm. E sot Prokuroria Speciale e Kosovës me ngritjen e aktakuzës edhe ndaj tij për rastin e 53 milionë eurove, po na thotë se vendimi i Qeverisë ishte edhe i drejtë dhe i duhuri”, shtoi ai.

Të ngjashme