Prokuroria Speciale rihap rastin e dhunimit të Vasfijes

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 22:22 | Nga Ekonomia Online

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, tha se ka marrë vendim që të rihapen hetimet për rastin e dhunimit të Vasfije Krasniqit-Goodman nga forcat serbe gjatë luftës.

Hajdari tha se rihapjen e rastit e ka bërë mbi bazën e përgjegjësive komanduese.

“Rasti i Vasfije Krasniqit është rihapur. Unë kam vendosur ta rihap rastin e saj, mirëpo jo kundër kryesve në fjalë sepse ndaj tyre procedura ka përfunduar me aktgjykim të formës së prerë; nuk kam mundësi, nuk kam asnjë bazë ligjore, asnjë mundësi ligjore, me paraqitë mjet të jashtëzakonshëm”.

“Unë kam vendosur ta rihap rastin mbi bazën e përgjegjësive komanduese, sikurse që do të veproj dhe jam duke vepruar edhe në rastet e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka thënë ajo, për “Jeta në Kosovë”.

Ajo ka shtuar se njëra ndër arsyet e rihapjes së rastit të Vasfijes është sepse dhunimi është përdorur si armë nga armiku.

“Po e bëj këtë sepse e kanë kry dhunimin gjatë luftës, ka qenë mjet i luftës, ka qenë një prej metodave të luftës. Nuk kanë ndodhur këto dhunime në Kosovë rastësisht, nuk janë incidente të izoluara. Janë siç e thash armë të cilën armiku e ka përdorur gjatë luftës”, ka treguar prokurorja.

Drita Hajdari tha se e ka bërë kërkesën e saj në Polici. “Kam lëshuar një kërkesë, një autorizim Policisë, Njësisë së hetimit për krimet e luftës, ku i kam përcaktuar taksativisht detyrat dhe veprimet që ata duhet t’i ndërmarrin në këtë rast, mes tjerash prapë kanë me u intervistu dëshmitarët okularë, ndoshta edhe Vasfijen, në të ardhmen”, tha Hajdari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme