Pas katër vjetësh qëndrimi në arrati autoritetet malazeze ditë më parë kanë prangosur ish-anëtarin e grupit paramilitar “Çakallët” Predrag Vukojeviqin, i quajtur “Magjo”, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë në vitin 1999 në fshatin Lubeniq.
Edhe pse ai dyshohet për vrasjen e disa civilëve në një fshat të Pejës, emri i tij nuk figuron në databazën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila është kompetente për hetimin e krimeve të luftës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk e ka idenë më të vogël nëse ish-anëtari i grupit paramilitar “Çakallët”, Predrag Vukojeviqin, i quajtur “Magjo”, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë në vitin 1999 në fshatin Lubeniq, është i përfshirë në lëndën për “Krime lufte në Kosovë”.
Vukojeviqi është arrestuar nga autoritetet malazeze sipas një urdhërarrestimi ndërkombëtar në INTERPOL, të lëshuar nga Prokuroria për Krime Lufte në Serbi.Derisa kjo e fundit ka lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar kundër Vukojeviqit, për Prokurorinë Speciale të Kosovës ky emër është ende i panjohur. Zyrtarë të kësaj Prokurorie bëjnë të ditur se në databazën e PSRK-së nuk gjendet një emër i tillë, shkruan më tutje “Zëri”.
Zyrtari i lartë për komunikim me publikun nga Prokuroria e Shtetit, Bedri Gashi, pohon se lënda për vrasjet e civilëve shqiptarë në fshatin Lubeniq gjendet ende në duart e EULEX-it dhe për të mësuar nëse Predrag Vukojeviqin është pjesë e kësaj lënde Prokuroria do të mësojë posa lënda të transferohet te vendorët….