Prokuroria Themelore në Prishtinë autorizon Policinë lidhur me procesin e numërimit Drenas

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Procesi i numërimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të hetohet edhe në Komunën e Drenasit. Tashmë për këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës lidhur me këtë proces me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhjet lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit. Marrë parasysh këtë rrethanë prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje. Po ashtu, prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie, ndërsa pas përfundimit të këtij procesi do të analizohen të gjitha rrethanat dhe shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve tjera për grumbullimin e informatave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më tej thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë është e determinuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, e veçanërisht me rastet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë”.

Të ngjashme