Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sh.B., në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, për 5 vepra penale.
I njëjti akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Pika I, e dispozitivit të aktakuzës, e ngarkon të pandehurin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK – së, se më datë 05.02.2018 në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ Nr.16/2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për regjistrimin e automjeteve me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për personin tjetër, me qëllim të shmangies të shqiptimit të gjobës kundërvajtëse në certifikatën e regjistrimit të automjetit e shënon tekstin si në vijim, ”automjeti posedon xhama të pasmë të errësuar” edhe pse në dokumentet e prodhuesit dhe atë të homologimit nuk shënon se automjeti ka xhama të errësuar”.
“Pika II, e dispozitvit të aktakuzës, po ashtu e ngarkon të njëjtin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, për shkak se në periudhën kohore prej datës 03.11.2016 deri më datë 18.02.2017 në Prizren, i tejkalon kompetencat duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr.16/2016 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për dy persona tjerë, në atë mënyrë që pa i paguar taksat komunale ka vazhduar regjistrimin e katër automjeteve, me ç’ rast u mundëson personave tjerë përfitim në shumën prej 330 euro”.
“Pika III, e dispozitivit të aktakuzës, e ngarkon të pandehurin për veprën penale të falsifikimit të dokumentit nga neni 434 par. 1 i KPRK –së, për shkak se i njëjti me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar me përmbajtje dhe të dhëna të rreme, duke bërë regjistrimin e automjetit për dy vite edhe pse regjistrimi i automjeteve dhe vazhdimi i tyre bëhet vetëm për një vit”.
“Pika IV, e dispozitivit të aktakuzës, e ngarkon të pandehurin për veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 397 par. 1 të KPRK –së, se më datë 18.07.2018, në objektin e QRA në Prizren ndryshon dhe heq printerin e markës “Epson” me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të atij sendi si provë në procedurën zyrtare në atë mënyrë që edhe pse nuk ishte në detyrë gjatë kohës së pauzës në tavolinën e tij të punës ku ka punuar më herët e largon printerin e markës “Epson” me qëllim që të fsheh provën se nga ai printer është shtypur dokumenti i regjistrimit të automjetit me përmbajtje “automjeti posedon xhama të pasme të errësuar”.
“Pika V dhe e fundit e dispozitivit të aktakuzës e ngarkon zyrtarin SH.B., për veprën penale “Cënimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike” nga neni 202 par. 4 lidhur me par. 2 të KPRK – së, se në periudhën kohore gjatë vitit 2017-2018, në objektin e QRA në Prizren në cilësinë e personit zyrtar në keqpërdorim të pozitës zyrtare pa autorizim ndërhynë në baza të të dhënave kompjuterike të personit tjetër dhe atë drejtorit të Qendrës së Regjistrimit të Atomjeteve, i cili është vërtetuar pas ekzaminimit në telefonin e të akuzuarit”, njofton Prokuroria.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.