Ekonomia Online
FUNDIT

Prokuroria Themelore në Prizren ngre aktakuzë për mashtrim në prokurimin publik në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ngre aktakuzë për mashtrim në prokurimin publik në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.P. dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me një […]

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.P. dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me një kontratë publike të lidhur më 22 dhjetor 2023 në Dragash, për furnizimin e shkollave të komunës me 16 aparate fotokopjuese.

Prokuroria dyshon se i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i përmbushur detyrimet kontraktuale. Sipas pretendimeve, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja, janë furnizuar pajisje të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të përdorura dhe të servisuara, në të cilat janë vendosur pjesë të reja shpenzuese.

Në aktakuzë thuhet se me këto veprime i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor Komunës së Dragashit, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të sjellin kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja.

Po ashtu, aktakuza është ngritur edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.” si operator ekonomik fitues i kontratës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.

Të ngjashme