Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka iniciuar hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.
Sipas komunikatës zyrtare, hetimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike që lidhen me këtë proces.
“Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit, në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka iniciuar hetime me vetiniciativë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Prokuroria bën të ditur se veprimet hetimore tashmë janë duke u zhvilluar në terren.
“Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë veprime hetimore në Komunën e Suharekës”, theksohet më tej.
Hetimet kanë të bëjnë me dyshime për vepra penale që ndërlidhen me shkeljen e të drejtës së votimit.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit”, njofton Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Prizren ka paralajmëruar se gjatë ditës do të ketë informacione shtesë.
“Duke marrë parasysh interesimin e opinionit publik dhe mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”, thuhet tutje në komunikatë.