Prokuroria thotë se u zbulua emri i dëshmitarit bashkëpunues, jo i mbrojtur

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 22:02 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka reaguar pas shkrimeve të publikuara në disa medie me tituj “Skandal në gjykimin ndaj Azem Sylës zbulohen emrat e dëshmitarëve të mbrojtur’’ dhe “Prokurori italian që hetoi Azem Sylën: Publikimi i emrave të dëshmitarëve – shkelje e rëndë’’.

“Për hirë të informimit të drejtë e të saktë, ju njoftojmë se prokurori vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjatë seancës së sotme, nuk ka zbuluar asnjë emër të dëshmitarëve të mbrojtur por, të dëshmitarit bashkëpunues, dhe për më tej, prokurori i PSRK-së, i është referuar shkresave që vetë prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccarelli iu ka referuar më herët”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.

“Andaj, shkrimet e tilla janë plotësisht të pasakta, si dhe, deklaratat e ish-prokurorit Ceccarelli, janë tendencioze, pasi që vetë ai në fjalën e tij hyrëse iu ka referuar si dëshmitar bashkëpunues dhe asnjëherë si dëshmitar i mbrojtur”.

“Ish-prokurori Ceccarelli, si prokuror i rastit në fajlë, në aktakuzën e përpiluar nga ai, i ka të cekur të gjithë emrat dhe mbiemrat e plotë të secilit dëshmitarë të përmendur nga ai sot në gjykim, si dhe prokurori vendor i Prokurorisë Speciale vetëm e ka përfaqësuar lëndën e Ceccarellit”.

Kjo prokurori kërkon nga mediet mos të publikojnë shkrime të pakonfirmuara nga Prokurori i Shtetit, të cilat nuk e pasqyrojnë të vërtetën lidhur me punën në sistemin prokurorial.

Të ngjashme