Prokurorisë i kërkohet që urgjentisht t’i nisë hetimet për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës

Prishtinë | 04 Nën 2024 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomit të Kosovës ka kërkuar veprim urgjent nga Prokuroria në nisjen e hetimeve lidhur me bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës.

Sipas sindikatës, ky veprim është ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile.

FSP e PTK-së ka akuzuar Prokurorinë dhe institucionet tjera të drejtësisë për heshtje lidhur me këtë rast.

“Ky akt i paprecedent ka lënë mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të Telekomit të Kosovës, duke krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj. Ndërsa ne përballemi me pasojat e kësaj afere të gjatë kriminale që ka gërryer Telekomin e Kosovës ndër vite, institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, vazhdojnë të heshtin. Mungesa e veprimit nga ana e tyre jo vetëm që inkurajon padrejtësinë, por gjithashtu sinjalizon mosinteresim për mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe të pronës publike”, thuhet në njoftim.

Në deklaratën e sindikatës tutje thuhet se Prokuoria duhet t’i ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin “e lidhjeve korruptive të kësaj kompanie kriminale që ka dëmtuar Telekomin”.

“Kërkohet marrje masash nga institucionet relevante për të garantuar që punëtorët të marrin pagat e tyre dhe që Telekomi të çlirohet nga çdo ndërhyrje e padrejtë që po e shkatërron funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij. Shkëputje të plotë nga çdo kontratë e dyshimtë dhe kriminale – për të rikthyer integritetin dhe transparencën e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë”, thuhet tutje në komunikatë.

Të ngjashme