Në Prokurorinë e Apelit të Republikës së Kosovës sot është realizuar procesi i votimit për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e kësaj prokurorie.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në bazë të kompetencave ligjore, të drejtën për t’u kandiduar për anëtarë të KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit, nga 7 prokurorë sa ka kjo prokurori, e kanë shfrytëzuar prokurorja Bedrije Syla – Alshiqi dhe prokurori Xhevdet Bislimi.
“Në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie. Pas procesit të votimit dhe numërimit të votave, me 4 vota për, anëtare e KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit është zgjedhur prokurorja Bedrije Syla – Alshiqi”, thuhet në komunikatë.
Procesi zgjedhor në Prokurorinë e Apelit është zhvilluar duke u mbështetur në afatet ligjore, ngase anëtarit të KPK-së nga kjo prokurori, prokurorit Idain Smailji, i përfundon mandati në fund të këtij viti.